top of page

Më të rejat

Inxhinierja e rrugës së vet: Udhëtimi i Mimoza Shahinit për të drejtuar një biznes që optimizon energjinë



Historia e Mimoza Shahinit | Inxhiniere dhe bashkëpronare e kompanisë ‘Comfort Clima’

 

Sektori i energjisë në Kosovë mbetet një nga sektorët më të pabalancuar nga aspekti gjinor ku gratë mbeten shumë të nënpërfaqësuara. Gratë përbëjnë vetëm 10% të fuqisë punëtore të sektorit të energjisë, dhe në përgjithësi një përqindje e ulët e grave punojnë në rolet e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM), sipas AWESK-ut, Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë së Kosovës. Shumica e grave që punojnë në sektorin e energjisë zakonisht punojnë në departamentet e financave, të burimeve njerëzore, ligjore dhe të kontabilitetit dhe numri i grave që punojnë në vendet teknike të punës vazhdon të mbetet i ulët, sipas gjetjeve të një studimi “Diversiteti gjinor në sektorin e energjisë në Kosovë” botuar nga AWESK-u.

 

Ende ka perceptime negative për gratë që hyjnë në profesione të caktuara, duke përfshirë ato që lidhen me elektricistet, inxhinieret mekanike, etj., të cilat veprojnë si barriera në konsiderimin e tyre për punësim në fusha të tilla.

 

Një nga arsyet e pjesëmarrjes së ulët të femrave në sektorin energjetik të Kosovës mund të jetë se popullata nuk e kupton se çfarë do të thotë “sektori i energjisë” dhe çfarë lloj mundësish pune mund të jenë në dispozicion, theksohet në të njejtin studim.

 

Pavarësisht se shumica e grave që punojnë në këtë sektor punësohen nga institucione të mëdha publike që menaxhojnë legjislacionin dhe politikat e energjisë, apo edhe ndërmarrjet publike që prodhojnë energji, ka disa gra që shikojnë përtej mundësive për karrierë.

 

Një prej tyre është Mimoza Shahini, anëtare e AWESK-ut që nga fillimet e veta në vitin 2015. Ajo themeloi “Comfort Clima”, një kompani që operon si distributore e pajisjeve të ventilimit, klimatizimit dhe ngrohjes, si dhe është ofruese e shërbimeve konsulente për zgjidhjet e sistemit.

 

“Në vitin 2015, unë lansova Comfort Clima, fillimisht si një operacion me një grua, dhe mbi pesë vjet, drejtova projekte të rëndësishme në mbarë Kosovën, duke përfshirë një kompleks të madh zyrash, një sërë ndërtesash hotelesh, qendra tregtare, e kështu me radhë - duke trajtuar gjithçka nga projektimi deri te puna në terren.”

 

Mimoza reflekton për rrugëtimin e saj nga përfundimi i studimeve në Inxhinieri Mekanike deri tek bashkimi me firmën e babait të saj, duke marrë një rol të projektimit të projektit. Nga atje, tranzicioni për të menaxhuar zyrën e një prodhuesi ndërkombëtar në Kosovë ishte i panjohur, pasi kërkonte aftësi që nuk mësohen në universitet.

 

“Edukimi në menaxhim të biznesit në realitet erdhi në punë, përmes përvojës, që thekson një boshllëk në kurrikulat universitare”. Në Universitetin e Prishtinës mungon fokusi në aftësitë thelbësore të drejtimit të një biznesi, si menaxhimi i projekteve, taksat, doganat, shitjet dhe operacionet.

 

“Nga përvoja ime, nuk kam gjetur asnjë disavantazh si grua gjatë studimeve apo edhe në biznes. Në fakt, profesionalizmi dhe besueshmëria që sjell unë si grua respektohen nga furnitorët tanë”, thotë Mimoza, e cila pas afro dy dekadash është e zhgënjyer që ende meshkujt dominojnë në role vendimmarrëse.

"Kjo nuk është për shkak të mungesës së grave kompetente, por për shkak të barrierave të vetë-imponuara dhe pritjeve shoqërore."

 

AWESK-u, Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë së Kosovës, po përpiqet të përmirësojë mundësitë e karrierës për gratë në këtë sektor si dhe të ngushtojë hendekun, duke rritur mundësitë e karrierës dhe duke harmonizuar arsimin me nevojat e industrisë. Organizata po e bën këtë duke avokuar për fuqizim të femrave profesioniste dhe duke avokuar për më shumë ndërgjegjësim në shkolla.

 

Një nga rrugët që duhet ndjekur është nëpërmjet lidhjeve të praktikës me industrinë, qoftë ajo nëpërmjet AWESK-ut apo edhe nga anëtaret që ofrojnë të përcjellin njohuritë e tyre te studentët.

 

Për fat jo të mirë, në rastin e Mimozës, megjithë gatishmërinë e saj për të mentoruar, ka pasur pak interes nga studentët për praktikat apo mundësitë e mentorimit që ajo i ka ofruar.

 

“Pritjet shoqërore shpesh i shtyjnë gratë drejt roleve tradicionale. Fillimi i një biznesi rrallë inkurajohet,” thotë Mimoza.

 

Ajo beson se, megjithë përpjekjet e saj dhe AWESK-së për t'u informuar, gjeneratat e reja po hezitojnë të shfrytëzojnë vegëzat që po u ofrohen atyre e që do të mund t’i ofronin të ardhme në sektorin e energjisë.

 

“Duke parë nga e ardhmja, ndërsa hendeku gjinor vazhdon në fushën e inxhinierisë mekanike të Kosovës, unë mbetem optimiste. Mbyllja e këtij hendeku kërkon një përpjekje kolektive: nga prindërit që nxisin besimin te vajzat e tyre deri te organizata si AWESK-u që nxisin lidhjet midis arsimit dhe sektorit të energjisë."

 

Rrëfimi i Mimoza Shahinit jo vetëm që vë në pah arritjet e saj, por gjithashtu bën thirrje për reforma arsimore dhe ndryshime shoqërore për të fuqizuar gjeneratën e ardhshme të grave inxhiniere në Kosovë.




Ky artikull është zhvilluar nga Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë në Kosovë me mbështetjen e Qendrës për Ndërmarrje Private Ndërkombëtare në kuadër të projektit "WE-Champs: Forcimi i Ekosistemit Ndërmarrës nga Rrjetëzimi i Dhomave Rajonale të Grave të Tregtisë dhe Shoqatave të Biznesit", financuar nga Zyra e Sekretarit të Departamentit të Shtetit për Çështjet Globale të Grave (S/GWI). Të gjitha opinionet e deklaruara këtu janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjen e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ose CIPE.

Commenti


bottom of page