AWESK-u ka përfunduar me sukses projektin “Mbështetja e vajzave të reja për orientim në lemenjtë STEM përmes qendrave për orientim në karrierë”. Ky projekt është dëshmia e parë për punën e anëtareve të saj për të ngritur vetëdijen e vajzave për rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në zhvillimin ekonomik të vendit.
I subvencionuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, projekti ka mbështetur vajzat në fazën e planifikimit të karrierës së tyre dhe për të përmbushur potencialin e tyre. Në të njejtën kohë, të kontribuojë në luftimin e paragjykimeve dhe stereotipeve që kufizojnë pjesëmarrjen e vajzave në disa profesione të konsideruara “për burra”.
Fushat që prek STEM (shkurtesë nga gjuha angleze që i referohet fushave të studimit që integrojnë shkencën, teknologjinë, inxhinierinë dhe matematikën) ofrojnë spektër të gjerë të mundësive, qoftë në zhvillim profesional e qoftë në punësim. Ato gjithashtu ndihmojnë në adresimin e sfidave kryesore globale sikurse janë ndryshimet klimatike dhe qëndrueshmëria e furnizimit me lëndë djegëse duke e promovuar energjinë e ripërtëritshme.
Anëtaret e AWESKut kanë mbajtur pesë ligjerata, në po kaq qytete nëpër Kosovë, në kuadër të projektit në muajt janar dhe shkurt të vitit 2020. Ndërsa ngjarja përmbyllëse është mbajtur në fund të qershorit në Prishtinë.
Vazhdimi i sesioneve informuese është nevojë e domosdoshme në mënyrë që të rejat të marrin sa më shumë informata nga vet gratë me përvojë në sektorin e energjisë.
Ndërkohë është identifikuar domosdoshëria e krijimit të një qendre për STEM në nivel qendror, me degë në secilin qytet të Kosovës, që do të ketë fokus të veçantë të përkrah vajzat në orientimin e tyre në karrierë.
Comentarios